Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë një person për sulm ndaj personit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje në Kaçanik.
Sipas policisë, rreth mbrëmë rreth orës 23:00, në rrugën “Vëllezërit Çaka” në Kaçanik, ka ndodhur një rast i sulmit ndaj personave zyrtarë.
“Menjëherë, policët e rendit dhe hetuesit rajonalë kanë reaguar ndaj thirrjes dhe pas intervistimit të viktimave dhe dëshmitarëve, është kuptuar se derisa policët në detyrë, gjatë tentativës për arrestimin e një personi të dyshuar, janë sulmuar nga ky i fundit”, njofton policia.
Sipas policisë, i dyshuari, gjatë rezistencës, ka goditur zyrtarët policorë me shqelma në pjesën e këmbëve.
“I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik dhe pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ka pranuar veprën penale për të cilën ngarkohet”, njofton policia.
Në komunikatë thuhet po ashtu se, ai ka pranuar se posedonte dy thika që janë gjetur në veturën e tij.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit rajonalë të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore dhe ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit B.M, 21 vjeç, për 48 orë.