UBT News

​Arrestohet një person për shitblerje të narkotikëve dhe sulm ndaj personit zyrtar

Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet L.Sh, i dyshuar për veprën penale të shitblerjes të narkotikëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë veprime hetimore, me ç’ rast gjatë ditës së djeshme është realizuar plani i koduar “Përfundimi”, në rrugën “Kongresi i Drejtshkrimit” Prishtinë, rreth orës 18:00.

Sipas prokurorisë personi është arrestuar për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas KPRK-së.

“I dyshuari me qëllim të shmangies nga arrestimi dhe ndalimi, me veturën e tij e ka goditur veturën zyrtare të policisë duke shkaktuar dëme materiale, si dhe dy zyrtarëve policor iu ka shkaktuar lëndime trupore, për çka edhe kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Gjatë kontrollit në trupin dhe veturën e të dyshuarit sipas njoftimit janë gjetur një sasi e dyshuar narkotike e mbështjellur në qese. Ndërsa, pas zbatimit të urdhëresës për bastisje, e cila është bërë në dy lokacione, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, si dhe kontrollit në veturën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: 6 qese me narkotik të llojit marihuanë në peshë 5.4 gram, marihuanë në peshë 102.5 gram, 3.9 gram kokainë, një sasi e qeseve të zbrazëta, një peshore digjitale për matje, një telefon celular dhe 282 euro.

“I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore. Ju njoftojmë se ky operacion është realizuar me sukses në saje të bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorit të Shtetit me Policinë e Kosovës”, përfundon njoftimi.

Exit mobile version