Gjilan- Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar të enjten të dyshuarin I.H, pronari i kompanisë “Globi M.I.” në Gjilan, nën dyshimini se me dokumente të falsifikuara ka përfituar disa tendere në institucionet lokale në Gjilan e Kamenicë, vlera e të cilave është rreth 1 milionë e 900 mijë euro.
Përmes raportit 24 orësh, policia njofton se i dyshuari është arrestuar pas një pune hetimore dhe të njëjtit i janë sekuestruar disa prova materiale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Si prova materiale janë sekuestruar: dy shtëpiza kompjuteri, gjashtë DUD doganor, aneks kontrata, katër vula të biznesit dhe një telefon”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori dhe me vendim të tij, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.