Një person është arrestuar në Ferizaj pasi dyshohet se, nën ndikimin e alkoolit, ka shkaktuar shqetësime për qytetarët në rrugën “Shaqir Hasani”.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, rasti ka ndodhur më 4 qershor 2026, pasi policia ka pranuar një informatë për një person që po shqetësonte kalimtarët në këtë zonë.
Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, i dyshuari është ndaluar dhe gjatë kontrollit trupor i është gjetur dhe konfiskuar një mjet i mprehtë, thikë.
“Gjatë ndalimit nga zyrtarët policorë, tek i dyshuari kanë gjetur dhe konfiskuar një mjet të mprehtë (thikë), ndërsa është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor nga njësitet reaguese”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu, pas testimit me alkooltest, është konstatuar se i dyshuari ishte nën ndikimin e alkoolit me 0.79 promila alkool në gjak.
Lidhur me rastin, me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.
