Policia Federale Gjermane ka arrestuar një 31-vjeçar shqiptar në Aachen, nën dyshimin se kishte tentuar të vidhte produkte farmaceutike në një farmaci, së bashku me një 29-vjeçare nga Bullgaria.
Gjatë verifikimeve në stacionin policor, autoritetet zbuluan se shqiptari ishte i njohur për policinë me shtatë pseudonime, ndërsa ndaj tij ishin regjistruar dhjetë kërkesa për përcaktimin e vendndodhjes, të iniciuara nga Prokuroria Publike e Bremenit.
Sipas njoftimit të Policisë Federale, ngjarja ndodhi të dielën, rreth orës 11:00, në një farmaci në stacionin kryesor të trenit në Aachen. Dy personat dyshohet se kishin tentuar të merrnin produkte farmaceutike në vlerë prej rreth 28 eurosh.
Gruaja ishte ndaluar në vendin e ngjarjes, ndërsa burri ishte larguar para mbërritjes së policisë. Ai u gjet më vonë në një garazh parkimi aty pranë, ku u përpoq të largohej pasi vërejti zyrtarët. Mallrat e dyshuara të vjedhura u gjetën në dysheme pranë tij.
Gjatë shoqërimit në stacion, 31-vjeçari kundërshtoi policët dhe përdori forcë fizike ndaj tyre, por zyrtarët arritën ta neutralizonin dhe ta prangosnin.
Sipas policisë, dhjetë kërkesat për përcaktimin e vendndodhjes së tij lidhen me dyshime për vepra të ndryshme penale, përfshirë vjedhje, grabitje, kërcënime, sulme të rënda dhe sulm seksual.
Po ashtu, verifikimet zbuluan se shqiptari ishte dëbuar nga Gjermania në vitin 2023 dhe ndaj tij ishte vendosur ndalim pesëvjeçar për hyrje dhe qëndrim në këtë shtet.
Gjatë kontrollit fizik, në çantën e belit të tij u gjet edhe një thikë, lehtësisht e arritshme. Për këtë arsye, ndaj tij u shtua edhe dyshimi për vjedhje me armë.
Pas konsultimit me prokurorin, 31-vjeçari u dërgua në paraburgim në Aachen, me qëllim të paraqitjes para gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit.
Ndërkaq, 29-vjeçarja nga Bullgaria u lirua pasi ndaj saj u ngrit kallëzim penal./A.K/
