UBT News

Arrestohet një 27-vjeçar për vjedhjen e kartës së kreditit të Johnny Depp

Një burrë i dyshuar është arrestuar në Hungari pasi akuzohet se ka përdorur të dhënat e vjedhura të kartës së kreditit të aktorit Johnny Depp, duke shpenzuar mbi 536 mijë paund gjatë dy viteve të fundit.

Sipas raportimeve, i dyshuari është një 27-vjeçar nga Jordania, i arrestuar në Budapest, ku kishte marrë me qira një apartament. Hetuesit thonë se ai përdori të dhënat e kartës për qindra transaksione online, përfshirë rezervime akomodimi dhe pagesa të tjera dixhitale.

Autoritetet po hetojnë gjithsej 308 transaksione, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 619 mijë eurosh. Dyshohet se aktiviteti ka ndodhur nga janari i vitit 2024 deri në dhjetor 2025.

Sipas hetuesve, Johnny Depp nuk kishte dijeni për transaksionet, të cilat u zbuluan vetëm pasi banka vërejti aktivitete të dyshimta në llogarinë e tij.

Hetimi nisi pasi banka kontaktoi autoritetet hungareze dhe FBI-në, ndërsa policia gjurmoi të dyshuarin përmes adresave IP, email-eve dhe një numri telefoni hungarez të lidhur me pagesat.

Gjatë bastisjes në apartamentin ku qëndronte i dyshuari, policia sekuestroi pajisje elektronike që besohet se janë përdorur në mashtrim. Po ashtu, u gjetën edhe substanca të dyshuara narkotike, duke hapur një hetim të veçantë për posedim droge.

I dyshuari ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa gjykata ka urdhëruar paraburgimin e tij deri në përfundim të hetimeve.

Exit mobile version