Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka arrestuar një person në rajonin e Prizrenit, i dyshuar për keqpërdorim të të dhënave bankare dhe personale.
Sipas komunikatës së përbashkët, i dyshuari kishte siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve amerikanë, të cilat më pas i kishte vënë në dispozicion për keqpërdorim përmes platformave të ndryshme online, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.
Gjatë aksionit, të realizuar me urdhër të gjykatës, janë sekuestruar edhe prova relevante për rastin.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me autoritetet amerikane./A.K/
