Një mjek është arrestuar sot në Vushtrri, nën dyshimin për marrje të ryshfetit, ku bëhet e ditur se i dyshuari është Avdullah Vojvoda, e që po i njëjti ishte denoncuar vitin e kaluar edhe për sulm seksual ndaj një pacienteje.
Për këtë kanë njoftuar edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë në koordinim me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas hetimeve disa mujore dhe pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, ka arrestuar një (1) mjek në Vushtrri me iniciale A.V., me dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”. I njëjti akuzohet se në këmbim të mjeteve monetare ka lëshuar vërtetime të ndryshme mjekësore për qytetarët”, thuhet në njoftim të prokurorisë.
Me vendim të prokurorit personit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë./S.K/EO/
