Ministri në largim i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, është arrestuar të dielën në Prizren, nën dyshimin për veprat penale “sulm” dhe “kanosje”.
Sipas Policisë së Kosovës, bashkë me Damkën është arrestuar edhe një familjar i tij, i identifikuar me inicialet F.D. Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se ngjarja është raportuar më 9 shkurt rreth orës 18:00.
“Policia ka intervistuar të dyshuarit F.D. dhe F.D., si dhe viktimat, ndërsa janë mbledhur prova dhe dëshmi të tjera në lidhje me rastin”, ka deklaruar Bytyqi.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje. Hetimet për rastin po vazhdojnë./UBTNews/