Kryetari i komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘cenim i përcaktimit të lirë të votuesve’.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se sot ka ekzekutuar Urdhrin e Gjyqtarit të procedurës paraprake, për kontrollimin e Objekteve të Komunës së Kllokotit, në lidhje me një hetim që është duke zhvilluar ndaj Kryetarit të Komunës, të pandehurit Bozhidar Dejanovic, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” e paraparë dhe sanksionuar me nenin 210 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës ( tutje ‘’KPRK’’). Mbi këtë bazë, me vendim të prokurorit të çështjes u vendos ndalimi dhe arrestimi i të pandehurit, Bozhidar Dejanovic, për 48 orë, dhe brenda afati ligjor do të paraqitet para Gjyqtarit të procedurës Paraprake”, thuhet në komunikatën për media.
Aksionin policor e ka konfirmuar për UBTNews edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Baki Kelani. Ai njoftoi se ky operacion i cili është duke u realizuar në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërlidhet me procesin zgjedhor./UBTNews