Një ish-mësimdhënëse e shkollës fillore “Pjetër Bogdani”, në kryeqytet është arrestuar të martën nga Policia.
E njëjta dyshohet se ka penguar procesin mësimor, derisa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se deri të revolta e ish-mësimdhënëses ka ardhur pas masës disiplinore karshi saj nga ana e DKA-së për ndërrimin e vendit të punës.
Lushaku-Sadriu ka treguar se e dyshuara më herët ka qenë pjesë e shkollës fillore “Pjetër Bogdani”, por tani është transferuar në një shkollë në periferi të kryeqytetit.
Lushaku-Sadriu ka thënë se vendimi për të është marrë pas kërkesës unanime të prindërve.
“Një ish-mësuese, faktikisht në masa disiplinore që është ndërmarrë që iu ka ndërruar vendi i punës dhe ajo në shenj të protestës është munduar me e pengua mësimin. Është rast i izoluar, një mësuese që për fajin e saj sepse ka pasur ankesa nga prindërit dhe ne si DKA e kemi marr vendimin me transferuar në tjetër shkollë…Ankesa ka qenë në mënyrë unanime e prindërve dhe kjo nuk ka qenë hera e parë dhe ne është dashur gjithqysh me marr masa”, tha ajo.
Për këtë rast ka njoftuar sot edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi e njëjta kishte penguar procesin mësimor. Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
E nga kjo e hënë në Kosovë ka nisur procesi mësimor, ndërsa qysh në ditën e parë të fillimit të mësimit në një shkollë në Prishtinë ka ndodhur një përplasje mes dy nxënësve.