Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar arrestimin e katër personave, përfshirë ish-kryetaren e Nishit, Dragana Sotirovski, dhe ish-komandantin e Shtabit të Situatave Emergjente të qytetit, nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Nishit.
Sipas njoftimit të MPB-së, dyshimet lidhen me një dëm të vlerësuar prej 460 milionë dinarësh (afro katër milionë euro), i cili është shkaktuar përmes angazhimit të kompanive të caktuara për punime ndërtimore. Gjatë kontrollit të zhvilluar nga policia, janë sekuestruar 11 automjete, si dhe një sërë mjetesh të tjera, duke përfshirë kamionë dhe makineri pune që dyshohet të kenë lidhje me veprimtarinë kriminale.
Sotirovski, gjatë periudhës nga 16 marsi 2022 deri më 9 korrik 2024, ka angazhuar dy kompani, “DN PR” dhe “Sim puk gradnja”, për kryerjen e punëve ndërtimore në qytetin e Nishit, duke shkelur ligjin dhe rregulloret për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe menaxhimin e emergjencave.
Dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe do të dërgohen në prokurorinë kompetente me kallëzim penal.
Ish-kryetarja e Nishit, Sotirovski, ka shërbyer në këtë post nga viti 2020 deri në vitin 2024. Para arrestimit, u raportua se ajo ishte në shënjestër të hetimeve, megjithatë ajo e ka mohuar çdo akuzë./UBTNews/