Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se mëngjesin e së mërkurës është arrestuar M.D., shtetas serb, nën dyshimet për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1998-1999 në komunën e Zveçanit.
Arrestimi është realizuar me urdhër të prokurores speciale Florije Salihu-Shamolli, pas një hetimi disa mujor, në bashkëpunim me hetuesit e Krimeve të Luftës. Prokuroria ka deklaruar se ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të sjellë para drejtësisë ata që kanë kryer krime lufte gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë.
M.D., i dyshuar për rolin e tij si komandant i Njësisë së Policisë, pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), akuzohet për pjesëmarrje në vrasje, dëbime me forcë, plaçkitje, tortura dhe rrahje sistematike të civilëve shqiptarë. Sipas Prokurorisë, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin dhe ekzekutimin e operacioneve të dhunshme ndaj popullsisë civile.
Një nga ngjarjet më të rënda që ai dyshohet se ka udhëhequr është operacioni ushtarako-policor i zhvilluar gjatë muajit prill të vitit 1999 në fshatin Zhazhë, ku janë vrarë shtatë civilë shqiptarë. Trupat e viktimave janë gjetur më vonë në varrezat masive të fshatit Suhodoll, në komunën e Mitrovicës, një prej vendeve ku janë dokumentuar krime të shumta të luftës.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se, brenda afateve të përcaktuara nga Kodi i Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj M.D. në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e drejtësisë për krimet e luftës, duke dëshmuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të ndjekur dhe sanksionuar aktet e dhunshme të kryera gjatë periudhës së konfliktit.