UBT News

​Arrestohet i dyshuari që komprometoi mbi 300 mijë kartela bankare në një shtet të BE-së

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit të Kosovës dhe autoritetet e një shteti të BE-së, ka zhvilluar një operacion të suksesshëm hetimor në Prishtinë dhe Ferizaj, ku është arrestuar një i dyshuar për hyrje të paautorizuar kompjuterike në një bankë të një shteti të BE-së.

Ky veprim ka rezultuar në komprometimin e të dhënave të mbi 300 mijë kartelave bankare, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm.

I dyshuari dyshohet se i ka postuar për t’i shitur këto të dhëna në një platformë online për përfitime të kundërligjshme, njofton Policia e Kosovës.

Gjatë realizimit të operacionit të kontrollit janë sekuestruar katër kompjuterë, tre telefona, një USB dhe dokumente të rëndësishme.

Bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar dhe profesionalizmi i lartë i Policisë së Kosovës kanë qenë kyç në këtë operacion.

Me vendim të prokurorit, i arrestuari është ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejme.

Hetime tjera janë në proces në bashkërendim me autoritetet për të zbardhur rastin.

Exit mobile version