UBT News

Arrestohet gjyshi që tentoi ta sulmojë Rrahman Jasharajn

Është arrestuar burri i moshuar, gjysh i dy nxënëseve në shkollën fillore “Ismail Qemaili” në Prishtinë, pasi i njëjti është përplasur gjatë ditës së djeshme me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharajn.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur në raportin 24-orësh se rasti është hapur si “kanosje”.

Aty thuhet se viktima është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka tentuar ta sulmojë edhe fizikisht.

“Shkolla “Ismail Qemali”, Prishtinë 05.09.2022 – 11:40. Raportohet se viktima mashkull kosovar, është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar i cili ka tentuar ta sulmojë edhe fizikisht. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Kryetari i Këshillit Grevist të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i shoqëruar nga Këshilli Qendror Grevist i BSPK-së të hënën kanë vizituar shkollën “Ismail Qemaili”, në Prishtinë. Vizita është përcjellë me tensione pasi në mesin e mësimdhënësve, por edhe të prindërve pati të tillë që kërkuan ndërprerjen e grevës, duke thënë se paraja nuk është asgjë.

Tensionet nisën kur gjyshi i dy nxënëseve të kësaj shkolle, Musli Rexhepi është përplasur me Jasharajn, duke thënë se ai është fajtori kryesor për grevën në arsim.

Exit mobile version