Një i dyshuar është arrestuar nga Policia e Kosovës të mërkurën në lidhje me vrasjen e ndodhur më 1 shtator në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
Sipas autoriteteve, ngjarja përfshin akuzat për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. I dyshuari që akuzohet për manipulim me provat e rastit, është intervistuar nga hetuesit.
Sipas njoftimit, me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.
“Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë 01.09.2024, 22:04. Lidhur me rastin e lartcekur të datës së lartcekur, me datën 11.09.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili dyshohet se ka kryer veprën penale manipulim me prova. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.
Një person i vrarë dhe pesë të plagosur është bilanci i konfliktit të armatosur që ka ndodhur në orët e vona të së dielës, më 1 shtator, në lagjen Aktash në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
Kujtojmë se gjithë konflikti dyshohet se lidhet me problemet që familja e Sekiraqës ka pasur në vazhdimësi me familjen “Capat” në Prishtinë – të cilëve iu plagos një familjar para disa muajsh.