Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë një person me inicialet M.M., i nacionalitetit serb.
Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri M.M., dyshohet si anëtar i grupit kriminal të organizuar ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale ‘’Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’, lidhur me veprat penale ‘’Vrasje e rëndë’’, në vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, së bashku edhe me të akuzuarit e tjerë N.S., M.R., R.B dhe S.A., ku për të cilët është duke vazhduar gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Po ashtu, i njëjti që nga fillimi i vitit 2019, ka qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes, edhe pse ka pasur Urdhërarrest në fuqi, dhe më datë 19.10.2022, në orët e mbrëmjes është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ndaj të njëjtit do të vazhdohet me procedurat sipas Kodit të Procedurës Penale, ku brenda afateve ligjore do të bëhet edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në mënyrë që procedura penale të vazhdoj pa pengesa”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.