Është arrestuar edhe një person tjetër për rastin e rëndë që ka ndodhur dje në Bresje të Fushë Kosovës, ku mbeti e plagosur një grua pas të shtënave me armë zjarri që dyshohet se u shkrep nga bashkëshorti i saj.
Përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, ka njoftuar se i arrestuari i dytë dyshohet se ka marrë armën që dyshohet se u përdor në rastin e plagosjes dhe e ka larguar nga vendi i ngjarjes.
Arma më pas është sekuestruar bashkë me tre fishekë dhe me tri gëzhoja, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë njëri nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës kosovare, ndërsa i dyshuar tjetër pas dyshimeve se ka marrë armën e cila është përdorur, për ta larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë. Pistoleta me tre fishekë dhe tri gëzhoja janë sekuestruar. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport./UBTNews/