UBT News

Arrestohet 62-vjeçari në Prizren, dyshohet për vjedhjen e qengjave

Policia e Kosovës ka arrestuar një 62-vjeçar në Prizren, i dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pas vjedhjes së disa qengjave në fshatin Piranë.

Sipas policisë, i dyshuari D.T. nga fshati Serbicë e Poshtme dyshohet se më 14 qershor ka vjedhur disa qengja me vlerë rreth 1 mijë euro, të cilët më pas i ka shitur te persona të ndryshëm.

Pas identifikimit dhe lokalizimit të tij më 23 qershor, me vendim të prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë dhe është ngritur kallëzim penal.

Në vazhdim të hetimeve, më 24 qershor, policia ka gjetur tre nga qengjat e vjedhur në oborrin e një shtëpie në fshatin Serbicë e Poshtme. Pas procedurave ligjore, bagëtitë e sekuestruara i janë kthyer pronarit.

Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast. /A.K/

Exit mobile version