Prokuroria Themelore në Pejë njofton se në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës, pas grumbullimit të provave dhe analizimit të tyre, kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë, të cilët dyshohen se gjatë arrestimit të një personi kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të njëjtin derisa i njëjti ishte i prangosur.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit (zyrtarë policorë) janë ndaluar për 48 orë për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, thuhet në njoftim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
Një ditë më parë, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njoftoi se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Klinës.
Në njoftim thuhej se incidenti ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarët policorë raportohet të ketë ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën “Ismail Qemajli” në qytetin e Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari.
“Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike. Në bazë të kompetencave të përcaktuara me Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin ndaj tre zyrtarëve policorë të përfshirë si të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, njoftoi IPK-ja.