UBT News

Arrestohen tre persona për mashtrim me investime të rreme, sekuestrohen 19 vetura dhe pasuri mbi një milion euro

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një operacion në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje të parave.

Aksioni është realizuar të mërkurën, më 25 nëntor, në katër lokacione të ndryshme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale. Në operacion kanë marrë pjesë hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, njësi të tjera policore, Njësia Speciale FIT dhe AKI.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, si dhe 4 mijë e 95 euro para të gatshme. Po ashtu, është gjetur edhe 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente që lidhen me rastin.

Sipas hetimeve, ekziston dyshimi se të arrestuarit, përmes sistemeve kompjuterike dhe komunikimeve elektronike e telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i mashtruar dhe nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.

Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”./A.K/

Exit mobile version