UBT News

Arrestohen katër persona për mashtrim milionësh me prona në Prishtinë

Katër persona janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh që dyshohet se ka rezultuar me përfitim të kundërligjshëm mbi 1.5 milion euro, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, më 19 shkurt 2026, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një pune të gjatë operative dhe hetimore, kanë siguruar prova që implikojnë të dyshuarit me inicialet M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh. në veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

“Përmes veprimeve të kundërligjshme, përfshirë falsifikimin e dokumenteve si pasaportë e Serbisë dhe dokumente të tjera  dhe duke i përdorur ato si të vërteta, si dhe duke prezantuar një person të rrejshëm si person real, të dyshuarit kanë arritur të tjetërsojnë-shesin përmes noterit pronën e ankuesit M.T., në sipërfaqe prej 36.28 ari”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas të dhënave zyrtare, prona dyshohet se është shitur tek blerësi H.M. me pretendimin se dokumentacioni ishte i rregullt dhe ligjor. Në këmbim të kësaj shitjeje, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar shumën prej 1,578,180.00 euro.

Me urdhër verbal të prokurorit të rastit janë realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar 9,000 euro para të gatshme, të cilat do të shërbejnë si provë materiale në procedurat e mëtejme.

Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “mashtrimi” , “falsifikimi i dokumenteve”  dhe “legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës dhe konsultimit me prokurorin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, raportoi Policia.

Exit mobile version