Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar katër persona me inicialet M.M., S.B., D.R., dhe B.Z., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të mashtrimit në bashkëkryerje. Shuma e dëmit të shkaktuar dyshohet të arrijë 1,578,180 euro, sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, M.M. dyshohet edhe për falsifikim dokumentesh, ndërsa D.R. dyshohet edhe për legalizim të përmbajtjes së rreme. Të katër të dyshuarit janë ndaluar fillimisht për 48 orë, ndërsa Gjykata u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Prokurori ka nxjerrë urdhër ndalues për parcelat përkatëse të përfshira në rast, pasi ekziston dyshimi se prona është shitur në bazë të dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme. Gjykata ka kërkuar gjithashtu lëshimin e urdhërit ndalues përfundimtar për sigurimin e pronës deri në përfundim të procedurës penale.
