Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në dy grabitje të armatosura të argjendarive në Gjakovë, të kryera më 5 dhe 16 nëntor.
Sipas Policisë, grabitja e parë kishte ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur kishin grabitur një sasi ari në vlerë rreth 30 mijë euro dhe rreth 2 mijë euro para të gatshme.
Rasti i dytë ishte raportuar më 16 nëntor, rreth orës 16:50, në rrugën “Izet Hima”. Dy persona të maskuar kishin hyrë në argjendari, ku njëri dyshohet se ishte i armatosur me një armë të gjatë, ndërsa tjetri me çekan. Ata kishin thyer vitrinën dhe kishin marrë stoli ari.
Gjatë grabitjes, njëri nga viktimat kishte tentuar t’ia marrë armën të dyshuarit, i cili më pas kishte shtënë me armë zjarri dhe e kishte plagosur atë në këmbën e djathtë.
Pas hetimeve dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, më 17 nëntor, Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë, në bashkëpunim me njësitë tjera policore, ka realizuar bastisje në pronat e dy personave të dyshuar, me inicialet A.U. dhe L.I., nga komuna e Deçanit.
Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 7 mijë e 330 euro, 100 dollarë, një veturë Golf 7, një sasi ari, dy telefona mobilë, veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve, si dhe një armë zjarri.
Sipas Policisë, provat e siguruara i lidhin dy të dyshuarit me të dy rastet e grabitjeve. Operacioni policor është ende në zhvillim, ndërsa veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në koordinim me Prokurorinë kompetente./A.K/

