UBT News

Arrestohen dy të dyshuar për disa raste të vjedhjeve nëpër xhami

Dy persona J.H (31-vjeç) dhe L.K (33-vjeç) janë arrestuar nën dyshimin për disa raste të vjedhjeve nëpër disa xhami të fshatrave të Lipjanit.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se arrestimi i të dyshuarve u bë nga hetuesit e stacionit policor të Lipjanit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Rastet ishin denoncuar në polici përgjatë vitit 2023 dhe 2024, ku dyshohej se, persona të dyshuar kishin vjedhur gjësende të ndryshme e në disa raste kishin dëmtuar dhe asgjësuar edhe pasuri në objektet e Xhamive. Që nga deponimi i denoncimeve, policia në vazhdimësi ka ndërmorë një varg veprimesh hetimore e operative me qëllim të ndriçimin e rrethanave të ngjarjeve si dhe identifikimin e të implikuarve”, thuhet në njoftim.

Pas hetimeve, Policia identifikoi dhe arrestoi dy të dyshuarit të cilët me rekomandimin e prokurorit të shtetit u dërguan në mbajtje prej 48 orësh, ndërkaq ndaj tyre u iniciua një hetim në drejtim të veprave penale “Vjedhja”, “Vjedhja e rëndë” si dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Exit mobile version