Policia e Pejës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja”. Ngjarja e fundit ka ndodhur në fshatin Nakell të Pejës, ku një individ është kanosur nga një prej të dyshuarve me armë.
Në një komunikatë për media, Policia e Pejës njofton se në momentin kur ankuesi kishte pasur një mosmarrëveshje me një nga të dyshuarit, ka arritur në vendin e ngjarjes një tjetër i dyshuar, i cili e ka kanosur me armë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas raportimit, njësitet relevante të Stacionit Policor në Pejë janë dërguar në vendin e ngjarjes. Hetuesit kanë kryer një kontroll në shtëpinë e të dyshuarve, ku është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore.
Dy të dyshuarit janë marrë në pyetje nga hetuesit. Njëri prej tyre është dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për këtë rast vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe për të marrë masat e nevojshme ligjore./UBTNews/