UBT News

Arrestohen dy persona në Prishtinë, konfiskohen 147.7 gramë substancë e dyshuar si kokainë

Hetuesit e Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë kanë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në shitblerje të substancave narkotike.

Sipas Policisë së Kosovës, pas një pune operative-hetimore, më 15 korrik 2026, në magjistralen Pejë-Prishtinë është lokalizuar i dyshuari F.P., i lindur në vitin 1992, i cili ishte duke udhëtuar me veturë.

Gjatë kontrollit në veturë dhe më pas në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, si dhe dëshmi të tjera relevante për rastin.

Policia ka bërë të ditur se është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit tjetër, Q.K., i lindur në vitin 1993, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e ndaluar.

Ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./A.K/

Exit mobile version