Dy persona janë arrestuar në Gllogoc nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:30. Gjatë kontrollit të të dyshuarve, si dhe gjatë bastisjes së veturës dhe shtëpisë së njërit prej tyre, janë gjetur dhe sekuestruar 15.2 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Po ashtu, autoritetet kanë konfiskuar para në vlerë rreth 3.550 euro, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin e kundërligjshëm.
Me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
