Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona nën dyshimin se janë përfshirë në veprat penale: ‘lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’ dhe ‘hyrje në sistemet kompjuterike’.
Policia ka kryer kontrolle në 14 lokacione në qytetet: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan.
“Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, kanë përdorur kartelat bankare pa autorizim duke bërë transaksione, tërheqje të parave nga bankomatët dhe blerje të gjësendeve të ndryshme, me kartela bankare të cilat kanë arritur në forma të ndryshme t’i komprometojnë. Në këtë rast janë dëmtuar institucionet financiare (bankat) në Kosovë me mijëra euro”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu policia bën të ditur se hetuesit policorë kanë zhvilluar veprime hetimore për një periudhë disamujore, nën dyshimin se disa persona janë përfshirë në veprimtari penale.
Sipas policisë në aksionin e sotëm kanë sekuestruar prova të ndryshme relevante, përfshirë kompjuterë, telefona celularë, USB, kartela bankare, dokumente, si dhe tre armë dhe municion.
Ky rast sipas policisë është duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.