Policia e Kosovës ka arrestuar disa aktivistë të Partisë Socialdemokrate, të cilët zhvilluan sot një aktivitet simbolik para stacionit policor në qendër me moton “Për partitë tubime, për qytetarët dënime”.
Konfrontimi me policinë ndodhi pas prononcimit për media të Nol Nushit, ku ai dhe aktivistët tjerë nuk pranuan të shkojnë në stacionin policor.
Ndërkaq, Nushi gjatë fjalës së tij bëri të ditur se nuk kanë dalë aty për të kundërshtuar tubimet e partive politike, por ‘qasjen e pabarabartë të Policisë së Kosovës ndaj tyre dhe qytetarëve’.
Sipas tij, Policia e Kosovës ‘ka mbyllur sytë’ karshi partive politike, ndërsa ka shqiptuar më shumë se 100 mijë gjoba ndaj qytetarëve dhe subjekteve afariste.
“Deri në kohën që po flasim, janë shqiptuar mbi 100 mijë gjoba ndaj qytetarëve dhe subjekteve afariste në vlerë 3 milionë euro në Kosovë. Por, siç kemi parë këto ditë, Policia e Kosovës, stacioni ‘Qendra’, ka mbyllur sytë karshi partive politike. Për ta, partitë politike nuk ekzistojnë si shkelës të ligjit, ata shpesh edhe i asistojnë ato kur e shkelin ligjin. Ato po vazhdojnë aktivitetin pa orar, pa rregulla, pa e zbatuar ligjin e pandemisë, përderisa qytetarët ende po përballen me orë policore e me pengesa në zhvillimin e aktivitetit ekonomik”, tha Nushi.
E sipas tij, nëse lejohen tubimet atëherë duhet të lejohet edhe lëvizja e qytetarëve dhe aktivitetet ekonomike pa ndonjë kufizim.
“Ligji është nxjerrë nga vetë politikanët, të cilët janë të parët, e pothuajse të vetmit që fare nuk po e zbatojnë ligjin. Partitë politike mund të besojnë se janë imune ndaj virusit, por ne si qytetarë e dimë është se nuk janë imunë ndaj ligjit. Ligji duhet të vlejë edhe për ta sepse ata janë themelues të tij. Ne, thjesht, po kërkojmë që para ligjit të jemi të gjithë të barabartë”, tha ai.
PSD më vonë përmes një komunikate ka kërkuar lirimin e aktivistëve, ku sipas tyre janë arrestuar 16 persona.
“Kërkojmë urgjentisht që aktivistet dhe aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Leonard Shala, Gëzon Kastrati, Qëndrim Sahiti, Arbër Sejdiu, Drin Ahmeti, Gent Brahimi, Agron Kabashi, Veton Dragusha, Fatos Sahiti, Trim Gashi, Natyra Kuçi dhe Frashër Krasniqi të lirohen menjëherë nga arrestimi i padrejtë që iu është bërë nga policia”, thuhet në komunikatë.