Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka informuar sot se është duke e trajtuar me prioritet të lartë rastin që ka ndodhur në Spitalin e Prizrenit, ku tre mjekë janë arrestuar pas vdekjes së një foshnjeje të porsalindur.
ShSKUK ka potencuar se janë duke e trajtuar rastin nëse ka pasur shkelje të procedurave standarde gjatë punës së stafit mjekësor dhe se janë duke pritur raportin e ekspertëve mjeko-ligjorë, për të konstatuar e konkluduar mbi shkaqet dhe rastin.
“Andaj, aktualisht nuk mund të konkludohet nëse e mjekët që kanë trajtuar rastin, ndonëse janë arrestuar, kanë kryer veprim që ka shkaktuar rrezik jete. Raportet profesionale, për çdo rast me fatalitet që ndodh në kushtet spitalore, janë element kyç për të verifikuar nëse mjeku ka shkelur procedurat apo nuk ka vepruar sa e si duhet. Pa këto raporte çdo konkluzion mbetet jo vetëm i pabazuar, por arbitrar”, është bërë e ditur nga ShSKUK.
Lidhur me arrestimin e mjekëve, ka reaguar sot edhe Federate e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, e cila ka potencuar se arrestimi i profesionistëve shëndetësorë pas denoncimit të rastit pa u kryer ekspertiza mjeko-ligjore, është skandaloz.
“Mjekët të cilët edhe gjatë festës i kanë lënë familjet e tyre për ti shërbyer qytetarëve,ata të cilët në historikun e tyre profesional nuk kanë asnjë vërejtje,sot po ballafaqohen me cënim të dinjitetit,degradim e linçim publik. Duke bashkëndjerë dhimbjen me familjen e pacientit, në sistemin shëndetësor si tek ne ashtu edhe në vendet bashkëkohore ndodhin fatkeqësisht edhe përfundime të rasteve me vdekje,por zgjidhjet e rasteve nuk fillojnë me arrestime. Ngjarje të tilla ndikojnë edhe më shumë në uljen e besueshmërisë së qytetarevë për trajtim në sistemin publik shëndetësor por edhe marrjen e shërbimeve shëndetësore nga profesionistët shëndetësor”, është bërë e ditur në komunikatë.
FSSHK ka kërkuar që të lirohen mjekët e arrestuar pa u penguar procedura hetimore për zbardhjen e rastit.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka informuar dje se janë arrestuar tre mjekë në Spitalin e Prizrenit, pasi një burrë ka informuar se pas lindjes së gruas së tij, pas disa minutave, foshnja ka vdekur dhe dyshon se kjo ka ardhur si pasojë e mostrajtimit të duhur nga stafi mjekësor. “Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë (mjekë) dhe janë dërguar në mbajtje.”, ka informuar Policia. Rasti është cilësuar si “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.