Më 18 shkurt 2025, Administrata Federale e Policisë (FUP) e Bosnjës dhe Hercegovinës, në kuadër të operacionit “Korridori”, ka realizuar një aksion të gjerë, duke arrestuar 15 persona të dyshuar për korrupsion të nivelit të lartë. Aksioni ka përfshirë kontrolle të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në disa zona të Kantonit të Sarajevës, Tuzlës, dhe Hercegovinës Qendrore, si dhe në zona të tjera jashtë këtyre kantoneve.
Ky operacion u realizua nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Kantonale të HNK-së dhe ka si qëllim dokumentimin e veprave penale të natyrës korruptive, përfshirë “Bashkimin me qëllim kryerjen e veprave penale”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit”, dhe “Lidhja e kontratës së dëmshme të shpërlarjes”.
Aksioni ka dalë pas një kallëzimi të paraqitur në vitin 2022 nga një individ i huaj, i cili ka denoncuar paligjshmëritë gjatë ndërtimit të një nënseksioni të Korridorit Vc, konkretisht nënseksioni Vranduk – Ponirak. Dyshohet se gjatë këtij projekti janë shkaktuar dëme financiare që arrijnë në rreth 19.5 milionë euro, të cilat janë humbur për shkak të korrupsionit dhe keqpërdorimeve të mundshme gjatë ndërtimit të autostradës.
Në mesin e personave të arrestuar janë disa ish-drejtues të lartë të Autostradave të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës (FBiH), përfshirë Elmedin Voloder, ish-drejtorin e Autostradave të FBiH-së, Jasmin Buço, ish-drejtorin ekzekutiv të këtij institucioni për projektim dhe ndërtim, Adnan Terziq, dhe Adem Zolj, ish-drejtorë të tjerë të kësaj kompanie. Përveç këtyre, janë arrestuar edhe anëtarë të Administratës aktuale të Autostradave të FBiH-së, përfshirë Kristijan Milas, Mirko Rogiq, dhe Ivan Brkiq, drejtor ekzekutiv për menaxhim dhe mirëmbajtje.
Personat e arrestuar janë duke u marrë në pyetje në ambientet e Administratës Federale të Policisë, dhe pritet që pas përfundimit të hetimeve, ata t’i dorëzohen Prokurorisë Kantonale të HNK-së për procedura të mëtejshme ligjore. Ky operacion vjen pas një periudhe të gjatë hetimi dhe është një hap i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë.