Re tymi u panë në agim mbi Rripin verior të Gazës, të shoqëruara nga të shtëna të forta armësh dhe shpërthime. Izraeli vazhdoi të sulmonte pjesën jugore të Rripit të Gazës. Ushtria izraelite tha se kishte kryer 300 sulme ajrore në 24 orët e fundit.
“Negociatat për lirimin e pengjeve tanë po përparojnë dhe vazhdojnë në mënyrë të qëndrueshme”, tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Tzachi Hanegbi, duke shtuar: “Lirimi do të fillojë siç është rënë dakord fillimisht nga palët dhe jo më herët se të premten”.
Pauza e parë në luftën shtatëjavore duhet të lejojë lirimin e 50 grave dhe fëmijëve të rrëmbyer nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit në këmbim të lirimit të 150 palestinezëve nga burgjet izraelite.
Izraeli tha se armëpushimi mund të zgjasë më shumë se katër ditë nëse militantët lironin të paktën dhjetë pengje në ditë. Një burim palestinez tha se në valën e dytë, deri në fund të muajit, deri në njëqind pengje mund të lirohen. Të dyja palët kanë thënë se do të rifillojnë luftimet sapo të përfundojë armëpushimi.
“Ky nuk është fundi i luftës. Ne do të vazhdojmë derisa të fitojmë”, u tha komandantëve shefi i shtabit të Izraelit, gjenerallejtënant Herzi Halevi.
Zyrtarët izraelitë nuk shpjeguan saktësisht pse ndodhi vonesa, por thanë se të gjitha përgatitjet për lirimin e pengjeve duhet ende të përfundojnë. Duket se detajet janë duke u finalizuar, tha ministri i Energjisë, Israel Katz, një anëtar i kabinetit të sigurisë.
“Izraeli nuk tha paraprakisht se kjo do të ndodhte sot. Ne e kuptuam se kjo do të ndodhte me afrimin e së premtes”, shtoi Katz.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Adrienne Watson tha se detajet përfundimtare logjistike janë duke u përpunuar.
Portali izraelit Ynet raportoi se Izraeli nuk ka marrë ende emrat e pengjeve që duhet të lirohen.
Ndërkohë, Hamasi njoftoi se forcat izraelite ndaluan punonjësit e spitalit Al-Shifa, më i madhi në Rripin e Gazës, përfshirë edhe drejtorin. Izraeli nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë, por zyrtarë izraelitë të paidentifikuar e kanë bërë këtë në stacionin televiziv Khan.