Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Armenisë, Vaan Unanyan ka deklaruar se qeveria do të emërojë një përfaqësues special për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë.
Unanyan në një deklaratë vlerësoi deklaratën e ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavushoglu lidhur me emërimin e një përfaqësuesi special për çështjen e Armenisë, raporton atsh.
“Armenia ashtu si gjithmonë është e gatshme për procesin e normalizimit të marrëdhënieve pa parakushte me Turqinë. Në këtë aspekt e vlerësojmë pozitive deklaratën e ministrit të Jashtëm turk lidhur me emërimin e përfaqësuesit special për normalizimin e marrëdhënieve. Konfirmojmë se pala armene do të emërojë një përfaqësues special për të filluar dialogun”, tha Unanyan.
Çavushoglu gjatë diskutimeve për buxhetin 2022 në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit turk, rikujtoi se për çështjen e Armenisë do të emërohet përfaqësues special dhe jo ambasador.
“Edhe Azerbajxhani ka thënë se kjo është jashtëzakonisht e saktë. Çdo çështje ne e koordinojmë, bisedojmë me Azerbajxhanin dhe vendimet i marrim bashkë me ata. Nëse Armenia merr mësim nga përjetimet e fundit, nëse preferon paqen dhe qetësinë mund të hapet edhe ambasadë. Për këtë çështje do të vendosim sërish bashkë me Azerbajxhanin”, tha Çavushoglu.