Është arrestuar një person në Dubravë të Ferizajt, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe pesë fëmijëve të tij.
Madje i njëjti kishte kërcënuar ata me armë duke i kërkuar që të largohen nga shtëpia. Kështu ka raportuar rastin në polici bashkëshortja e tij.
“Rreth orës 04:20 ,nga ana e viktimës (f/Kosovare),është raportuar rast i dhunës në familje ndaj saj dhe pesë fëmijëve të saj nga ana e bashkëshortit duke i kërcënuar me armë dhe duke kërkuar që të largohen nga shtëpia”, njofton Policia e Kosovës për Rajonin e Ferizajt nëpërmjet një komunikate për media.
Pas kësaj, njësitet policore kanë bastisur shtëpinë e 46-vjeçarit, ku kanë konfiskuar pesë revole, dy granata dore, një elektroshok dhe pesë thika.
Pas intervistimit, i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajte për 48 orë.
“Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e duhura policore dhe gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit A.D. (m/Kosovar 46 vjeç) kanë gjetur dhe konfiskuar: Pesë revole modele dhe kalibra të ndryshme. Dy granata dore, një elektroshok, pesë thika. Pas intervistimit dhe kompletimit të lëndës , me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në komunikatë.