UBT News

Armë, drogë dhe të shtëna, raporton policia disa raste në Kosovë

Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të armëve, narkotikëve dhe të shtënave me armë zjarri në Prishtinë, Lipjan, Dragash dhe në magjistralen Prishtinë-Ferizaj.

Në fshatin Shalë të Lipjanit, më 9 shtator, është arrestuar një person i dyshuar, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar një revole me gaz. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, më 9 shtator, janë arrestuar dy persona të dyshuar. Gjatë kontrollit tek ta është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 0.93 gramë, si dhe marihuanë me peshë rreth 11.99 gramë. Me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa tjetri është dërguar në mbajtje.

Po në Prishtinë, në rrugën “Skender Luarasi”, njësitë policore, në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kanë bastisur dy lokacione nën dyshimin për import, eksport, furnizim, transport, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një revole me karikator, 40 fishekë, dy telefona celularë, si dhe disa dokumente identifikuese dhe kartela bankare. Tre të dyshuarit, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Në fshatin Blaq të Dragashit, më 9 shtator, policia ka dalë në vendin e ngjarjes pas pranimit të një informate dhe një video-incizimi, ku dyshohej se një person kishte shtënë me armë zjarri. I dyshuari është identifikuar dhe ndaluar, ndërsa me urdhër të prokurorit është bastisur shtëpia dhe objektet përcjellëse të tij. Gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshuar. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

Ndërkaq, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, në një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtjes pa leje, një person i dyshuar është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

D.L

Exit mobile version