Presidenti amerikan Donald Trump po sillet sikur i ka në dorë të gjitha kartat për arritjen e një marrëveshjeje me Rusinë për Ukrainën.
Edhe pse janë përjashtuar nga bisedimet mes Moskës dhe Uashingtonin, Bashkimi Evropian ka ende një “as nën mëngë”.
Politiko shkruan se Brukseli mund të përdorë si mjet prsioni për uljen në tryezën e bisedimeve pasuritë sovrane ruse që janë sekuestruar në vendet e unionit.
“Fati i mirë për Bashkimin Evropian është se shumica e fondeve të sekuestruara ruse, rreth 200 miliardë euro, mbahen në institucione financiare në Bruksel dhe janë duke gjeneruar interesa. Nga ana tjetër, SHBA mban vetëm 5 miliardë dollarë.
Sekuestrimi i këtyre pasurive është një opsion drastik që do të siguronte një vend më të madh për Evropën në tryezën e bisedimeve, pas përjashtimit të saj nga SHBA dhe Kremlini në bisedimet e fundit në Rijad”, shkruan Politico.
Plani “B” i BE-së nëse SHBA ndalon ndihmën për Kievin është përdorimi i aseteve ruse për të financuar mbështetjen ndaj Ukrainës.
“Me pasuritë e bllokuara të Rusisë, mund të zëvendësojmë mbështetjen e SHBA-së nëse SHBA vendos të mos mbështesë më Ukrainën,” tha ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, të hënën.
“Ne kemi pasuri të bllokuara ruse në vlerë 300 miliardë euro në Evropë dhe duhet ta përdorim këtë mundësi,” shtoi ai, duke folur para gazetarëve në Bruksel, së bashku me homologët e tij nga Danimarka, Suedia, Lituania dhe Letonia. (Megjithëse shuma e saktë e pasurive të bllokuara ruse në Evropë është e paqartë, numri pranohet më gjerësisht të jetë rreth 200 miliardë euro.)