Në kuadër të Akademisë Verore të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, u zhvilluan me sukses aktivitetet e ditës së dytë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ndërdisiplinor mes studentëve të të dy fushave.
Dita nisi me një ligjëratë të veçantë nga Prof. Bledian Nela, ekspert i njohur i fushës së ndërtimtarisë, i cili trajtoi qasjet moderne dhe inovative në planifikimin e hapësirave urbane, me fokus të veçantë në ndërtimet nëntokësore dhe strukturat funksionale për trafikun urban. Në këtë sesion mori pjesë edhe shkrimtari Elvi Sidheri, si shembull frymëzues për studentët në aspektin e dizajnit bashkëkohor dhe zgjidhjeve të qëndrueshme arkitektonike.
Aktivitetet vazhduan me punë intensive të studentëve, të cilët ishin të ndarë në grupe të përbashkëta të përbëra nga arkitektë dhe inxhinierë ndërtimi. Qëllimi i bashkëpunimit ishte krijimi i zgjidhjeve të integruara për parkime urbane, nënkalime, menaxhim të trafikut dhe përmirësim të transportit publik, duke reflektuar nevojat reale të qyteteve të Kosovës dhe më gjerë.
Studentët po përdorin metoda të avancuara të projektimit, duke analizuar terrenin dhe fluksin e qarkullimit për të ofruar propozime konkrete dhe funksionale, të cilat do të prezantohen në fund të Akademisë përballë një paneli profesional vlerësues.
Ky bashkëpunim ndërdisiplinor jo vetëm që forcon aftësitë praktike dhe analitike të studentëve, por shërben edhe si një model i suksesshëm i edukimit të integruar, që i përgatit ata për sfidat reale të tregut të punës dhe për ndërtimin e qyteteve të së ardhmes.