Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë në një konferencë për medie, së bashku me dy arkitektë “të jashtëm”, për të parqitur një analizë preliminare lidhur me shkaqet e rrëzimit të çatisë së ndërtesës së komunës së Prishtinës në Arbëri, që ndodhi të enjten e shkuar, pas një ere të lehtë. Me këtë rast një 23-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda. Rama fillimisht uroi shërimin e 23-vjeçares së lënduar. Tha se është në kontakt me familjarët e saj.
“Për fat të mirë, gjendja është stabile, por ende është në rrezikshmëri të lartë. Jemi në kontakt çdo ditë me doktorët, e kam qenë në kontakt me familjen e saj”, deklaroi ai.
Kreu i kryeqytetit tha se problemi me kulmin e ndërtesës në Arbëri ka qenë edhe më parë.
“Duhet ekspertizë urgjente e preliminare për të ditur se çka e ka shkaktuar këtë problem me kulmin e ndërtesës…Kam ftuar ekspertët e fushës, Visar Gecin e Gëzim Kastratin, që i kam parë si profesionistë që veprojnë jashtë Komunës për të analizuar e për të na dhënë një gjendje preliminare për rrëzimin e kulmit”, ka thënë Rama.
Rama ka shtuar se sikur të mos merreshin masat urgjente pas rënies së kulmit, do të mund të kishte edhe djegie të objektit.
“Do të shohim edhe në objekte të tjera që mund të kenë probleme të tilla, të krijojmë struktura të reja që i analizojmë në numër më të madh të ndërtesave që janë pranuar teknikisht, të shohim a kemi problem masovik, apo problemi ekziston në disa pika të ndryshme”, ka shtuar kreu i Prishtinës.
Tutje Rama tha se rasti i njëjtë është përsëritur edhe në vitin 2017 duke e bërë kurioz të dinë se çfarë ka shkaktuar rënien e tij në një objekt të ri.
Përmes dy arkitektëve, siç tha Rama persona neutral që punojnë jashtë Prishtinës do të analizohen rrethanat dhe shkaqet e rastit. Geci tha se puna e kryer në këtë objekt është bërë jashtë standardeve profesionale e në disa pjesë me materiale të dobëta.
“Vlerësimin e kemi bërë nga vendi i ngjarjes, normalisht se ne kemi kontaktuar edhe dy inxhinierë dhe jemi konsultuar me ta. Kulmi ka ra se nuk e ka strukturën të cilën do duhej ta ketë, dhe problemi më i madh ka qenë nuk është ekzekutuar ankerimi i binakeve të murit”, tha arkitekti Geci.
Po ashtu ata thanë se dritaret nuk ishin në vendin e duhur, e prej herës se kaluar punimet janë bërë vetëm shkel e shko.