Arkeologët në Kinë kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm këtë vjeshtë në rrënojat e Wangzhuang, në provincën Henan, ku kanë identifikuar një seri varresh antike – ndër to, varri M27, që besohet t’i ketë përkitur një mbreti parahistorik.
Sipas ekspertëve, madhësia e varrit, arkivolit dhe numri i madh i objekteve funerale tregojnë se ky vend mund të ketë qenë kryeqyteti i një mbretërie të lashtë, e lidhur me kulturën Dawenkou të periudhës Neolitike (rreth viteve 4000–2600 p.e.s.).
Profesor Zhu Guanghua nga Capital Normal University, që drejtoi gërmimet, u shpreh për China Daily: “Zbulimi i fundit tregon se rrënojat e Wangzhuang nuk përfaqësojnë një vendbanim të zakonshëm, por një qendër politike dhe kulturore të një mbretërie parahistorike.”
Varri M27 është një nga më të mëdhenjtë e kohës, me gjatësi 4.5 metra e gjerësi 3.6 metra. Arkivoli prej druri ka dy shtresa, të brendshme dhe të jashtme, me sipërfaqe prej 17 metra katrorë.
Brenda u gjetën rreth 350 objekte funerale, përfshirë zbukurime, enë qeramike, mjete kockash dhe mbetje kafshësh.
Prania e nofullave të derrave, një simbol pasurie në atë kohë, tregon se i ndjeri ka pasur status të lartë shoqëror.
Objektet e zbuluara vijnë nga zona të ndryshme të Kinës së lashtë, përfshirë basenin e lumit Yangtze, çka dëshmon për shkëmbime të hershme kulturore dhe tregtare. Sipas Li Zinwei, zëvendësdrejtor i Institutit të Historisë së Lashtë në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale, ky zbulim ofron dëshmi të rëndësishme për bashkimin kulturor midis rajoneve parahistorike të Kinës.
Disa prej objekteve funerale, si dhëmbët e dres së ujit dhe enët me gojë të ngushtë, tregojnë për rituale lokale dhe nivel të lartë zhvillimi në qeramikë, tipike për kulturën Dawenkou, e cila më vonë ndikoi në traditat rituale të dinastive kineze.
Varri tregon edhe shenja dëmtimi të qëllimshëm, që mund të jenë shkaktuar pak pas ndërtimit, ndoshta si akt hakmarrjeje nga rivalët.
Trupi i të ndjerit është pjesërisht i zhdukur, duke mbetur vetëm kockat e gishtërinjve të këmbës, ndërsa disa objekte ceremoniale janë thyer qëllimisht. Në total, arkeologët kanë zbuluar 45 varre të kulturës Dawenkou, që tregojnë ndarje të punës, strukturë shoqërore të zhvilluar e hierarki të qartë klasore, dëshmi të hershme të një shoqërie të organizuar dhe të pasur në Kinën parahistorike. /A.Z/UBT News/
