Pa ndonjë rezultat për dinarin serb kishte përfunduar takimi i së martës në Bruksel mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Pas takimit, diplomati evropian tha se ka përparime megjithatë nevojiten takime shtesë. E takimin e së martës politologu Dritëro Arifi e konsideron të panevojshëm.
“Po ishte i panevojshëm dhe një amaterizëm i skajshëm sepse sidomos drejtori i BQK-së nuk duhet të shkojë në takime të tilla, ka mundur të shkojë krejt dikush tjetër ose vetëm të shkojë niveli politik”, deklaroi Arifi për UBTNews.
Arifi e komentoi edhe e refuzimin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi që të marrë pjesë në takimin e thirrur në Bruksel. Ai thotë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, duhet shtyer për një kohë dhe të bashkëpunohet me ndërkombëtarët.
“Kur institucioni i një vendi sillet në atë formë me Bashkimin Evropian dhe kjo gjuhë do të ketë pasoja. Pavarësisht se kush do të vijë nesër si ndërmjetësues i ri i BE-së apo të mbetet i njëjti këtë nuk e dimë, por sidoqoftë çfarëdo varianti, Bashkimi Evropian është një organizatë institucionale dhe ka memorie institucionale”, deklaroi ai tutje.
Ai thotë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, duhet shtyer për një kohë dhe të bashkëpunohet me ndërkombëtarët.
“Nuk është që të evitohet rregullorja, por që të shtyhet për një periudhë të caktuar kohore për tre ose gjashtë muaj deri sa të informohet i gjithë komuniteti serb se si duhet të rrjedhë e gjithë procedura dhe çfarë duhet të ndodhë. Kjo ishte dashur të ishte një hap shumë i rëndësishëm dhe bashkëpunimi sepse vetëm me bashkëpunim mund t’i zgjidhim problemet”, deklaroi ai tutje.
Rregullorja e re e BQK-së, e cila hyri në fuqi nga 1 shkurti 2024, përjashton valutat tjera jo-euro për operim në Kosovë.
Ky vendim shkaktoi pakënaqësi te serbët e Kosovës të cilët paguhen ende me dinarë nga Serbia për paga, pensione dhe ndihma sociale./UBTNews/
Realizoi: Dea Berisha