Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, sheh hipokrizi në përpjekjen e Qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet me Serbinë.
Arifi sot ka publikuar një fotografi duke vënë ngjitësin mbi stemën e Serbisë në kufi, duke kujtuar se nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës obligohen që në ditën e parë të shkollës ta këndojnë himnin serb.
“Reciprociteti me targat në zbatim, ndërkohë nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës, në ditën e parë të shkollës, obligohen të intonojnë himnin kombëtar të Serbisë “Bože Pravde”!”, ka shkruar Arifi.
Të mërkurën, Arifi publikoi dokumentin me të cilin nxënësit shqiptarë detyrohen ta këndojnë himnin serb, teksa pyeti se “cilat aktivitete e zhvillime janë ndërmarrur dhe planifikuar në këtë drejtim nga Qeveria e Republikës së Kosovës?”.
Gjatë vizitës në Luginën e Preshevës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nuk u takuan me Shqiprim Arifin, kryetarin e Komunës së Preshevës. Ky i fundit tha se Qeveria Kurti ende nuk i ka transferuar 2 milionë eurot e premtuara.