Profesori universitar Dritëro Arifi, ka thënë se Qeveria ka të drejtë politike për hapjen e Urës së Ibrit, por se ajo duhet të mendojë për veprimet e saja në mënyrë më strategjike.
Sipas Arifit, Kosovës nuk i duhen “Fitoret e Pirros”, të cilat në një periudhë të shkurtër mund të duken të mira por në planin afatgjatë janë të dëmshme.
Ai ka shtuar se hapja e Urës duhet të bëhet në bashkëpunim me aleatët, BE dhe ShBA, me të cilët sipas tij Qeveria nuk ka arritur të krijojë mirëbesim.
“Esenca është që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të krijojë një mirëbesim tek partnerët evropian dhe amerikan, prandaj edhe kritikat kanë qenë shumë të ashpra. Nuk është se Kosova nuk ka të drejtë politikisht por në duhet të mendojmë stratigjikisht, ky është gabimi i qeverisë Kurti që nga fillimi. ‘Fitoret e Pirros’ Kosovës nuk i duhen, ato nuk janë fitore te suksesshme, janë fitore të pjesshme të cilat në një periudhë afatshkurtër mund të duken shumë të mira por në planin afatgjatë janë të dëmshme. Në këtë drejtim të dyja palët janë ngutur”.
“Qeveria e Kosovës është duke e kuptuar politiken ‘ose-ose’, ose jetë ose vdekje, ajo duhet ta kuptojë politiken ‘edhe-edhe’, edhe të kemi mirëbesim edhe të hapim urën dhe të vazhdojmë me bashkëpunimin BE-ShBA. Nga ana tjetër BE-ja prapë mendoj që është duke u ngutur sepse duhet ta gjejë një gjuhë të kompromisit me Kosovën që në një mënyrë të krijohet një klimë e normalizimit të raporteve, jo vetëm Kosovë Serbi, por edhe komunitetit serb në veri. Megjithatë Kosova ka nevojë për t’u anëtarësuar në BE, jo BE-ja në Kosovë”.
Tutje, teksa ka folur për paralajmërimet e BE-së dhe deklaratave të zëdhënësit të saj, Peter Stano, se masat ndaj Kosovës mund të ashpërsohen, ai ka thënë se “Kosova mund ta harrojë anëtarësimin në BE”.
“Nëse vazhdon me sanksione nuk është se do të na mbysin, por esenca është se Kosova mund ta harrojë anëtarësimin në BE për një kohë shumë të gjatë, duke e ditur që brenda BE-së ka shtete që nuk dëshirojnë ta shohin Kosovën fare të pavarur. Ky është një perceptim jashtëzakonisht fëmijëror edhe banal i politikës së jashtme të Qeverisë së Kosovës. Prandaj duhet që të jemi më të qetë, nëse ne themi që e kemi nën kontroll veriun, s’ka pse të ngutemi. Me hapa të ngadalshme e arrijmë, jo të hapim një urë por të hapim një mijë ura”.
Të enjten, Stano, ka deklaruar se blloku e ka bërë të qartë qëndrimin sa i përket mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në Kosovë nga autoritetet, por edhe synimit të Qeverisë së Kosovës që të hapë për trafikun urën mbi lumin Ibër.
Ai ka thënë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë aktorët e BE-së”, tha Stano.