UBT News

​Arianit Sllamniku mbetet një muaj në paraburgim

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit dhe i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Arianit Sllamniku, i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale.

Sipas njoftimit, i dyshuari, nga një periudhë e papërcaktuar e deri më 20 janar 2026, në rrugën “17 Shkurti” në Gjilan, në lokalin e regjistruar si “Consulence”, dyshohet se ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore dhe farmaceutike pa kualifikim profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore.

Po ashtu, aty thuhet se Sllamniku ka kryer trajtime dhe vizita mjekësore e këshilluese, duke pretenduar se ofron shërime për autizëm, duke përshkruar terapi të ndryshme të paverifikuara dhe të pakonfirmuara, përkundër që ai nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore.

“Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit nga NJHP në Gjilan, në lokalin “Consulence” është gjetur edhe një dëshmitar, i cili kishte shkuar për konsultim lidhur me trajtimin e autizmit, ndërsa janë sekuestruar edhe medikamente të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Gjykata bën të ditur se i pandehuri dyshohet edhe për kryerjen e “eksperimenteve të kundërligjshme mjekësore dhe testimit të barërave”, pasi përmes komunikimit elektronik dhe telefonit ka rekomanduar terapi farmaceutike të paverifikuara për persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë me spektrin autik, duke pranuar edhe pagesa për këto shërbime.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar se masat alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

Sllamniku ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Exit mobile version