UBT News

Ariana Grande tregon si ‘Wicked’ e ndihmoi të lidhej sërish me muzikën

Ylli i popit, 32-vjeçarja Ariana Grande, e cila mori rolin në adaptimin me dy pjesë të muziklit të Broadway-it Wicked dhe vazhdimin e Wicked: For Good, po përgatitet të rikthehet në skenë vitin e ardhshëm me Eternal Sunshine, në mbështetje të albumit të saj të pestë.

Këngëtarja ka treguar se një pauzë e qëllimshme e ndihmoi të rindërtojë lidhjen e saj me muzikën.

Në një intervistë për revistën Interview rrëfeu: “Jam mirënjohëse dhe e emocionuar. Kam kaluar dy vitet e fundit duke shëruar marrëdhënien time me muzikën dhe turnetë. Kam kaluar shumë kohë duke rindërtuar mënyrën e krijimit të muzikës. Eternal Sunshine ishte një përvojë e re për mua.”

Krijuesja e hitit “Thank U, Next” shpjegoi se largimi nga industria e ndihmoi të dallonte presionet e famës nga gëzimi i krijimit, duke shtuar se aktrimi dhe roli i saj si Glinda në Wicked i dhanë forcën për t’i qasur muzikës me një perspektivë të freskët.

“Koha larg më mësoi të rimarr disa pjesë të vetes, të vendos ndjesitë që lidhen me famën dhe jetën si artiste në një vend tjetër, larg, dhe t’i them vetes: ‘Nuk kam pse të heq dorë nga diçka që e dua. Mund t’i lë gjërat mënjanë pa humbur dhuntitë e mia’,” tha ajo.

“Kam hedhur hapa të vegjël drejt shërimit të marrëdhënies sime me muzikën dhe turnetë. Koha me Glindan dhe aktrimi më ndihmoi të ndërtoj forcën për këtë. Nuk mund ta shpreh sa mirënjohëse jam. Më parë muzika mbante brenda disa trauma, tani po i shoh duke u zhdukur dhe kjo është diçka jashtëzakonisht e bukur.”

Ariana pranoi se kalimi i menjëhershëm drejt famës globale nuk ka qenë pa sfida. Duke reflektuar mbi ngritjen e saj të shpejtë, ajo tha:

“Ka pasur një periudhë të vështirë përshtatjeje në fillim, kur karriera ime pop shpërtheu në atë mënyrë. Shpresoj që kjo të mos tingëllojë si mosmirënjohje, por thjesht është një ndryshim i madh kur jeta jote transformohet kaq drastikisht.” /A.Z/UBT News/

Exit mobile version