Këngëtarja Ariana Grande ka sqaruar se vendimi i saj për t’u tërhequr përkohësisht nga jeta publike pas përfundimit të turneut “Eternal Sunshine” nuk ka qenë i nxituar.
Gjatë një koncerti në Çikago, Grande u tha fansave se vendimi ishte marrë shumë kohë më parë dhe nuk lidhej me zhvillimet e fundit apo spekulimet që kanë qarkulluar në media.
“Dua që ta dini se shumë gjëra mund të jenë të vërteta në të njëjtën kohë”, u shpreh artistja, duke shtuar se njerëzit ndonjëherë kanë nevojë të vendosin kufij dhe të marrin një pushim.
Deklarata e saj vjen një ditë pasi producentët e muzikalit “Sunday in the Park With George”, që pritet të vihet në skenë në Teatrin Barbican në Londër gjatë vitit 2027, njoftuan se Grande ishte tërhequr nga projekti.
Muajt e fundit, këngëtarja ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të ndarjes nga aktori Ethan Slater, turneut botëror dhe publikimit të albumit të ri “Petal”, duke nxitur edhe spekulime për shëndetin dhe pamjen e saj.
Edhe menaxheri i saj ka bërë të ditur se Ariana synon ta përfundojë turneun “Eternal Sunshine” e shëndetshme dhe e lumtur, përpara se të marrë një pushim të merituar nga angazhimet dhe ekspozimi i vazhdueshëm publik.
Nga skena, Grande falënderoi fansat për mbështetjen dhe theksoi se, pavarësisht komenteve dhe kritikave, kjo mbetet përvoja më e rëndësishme në karrierën e saj.
Turneu “Eternal Sunshine” do të përfundojë më 1 shtator në Londër, pas dhjetë koncerteve në O2 Arena./A.K/
