Këngëtarja e njohur amerikane Ariana Grande ka kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që të mos përdorë muzikën e saj për promovimin e politikave të emigracionit, pasi kënga e saj “Bye” u përdor në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Videoja, e shpërndarë në TikTok nga Shtëpia e Bardhë, shfaq agjentë kufitarë duke arrestuar persona dhe ishte shoqëruar me këngën “Bye” të publikuar nga Grande në vitin 2024.
Artistja reagoi menjëherë në postim duke shkruar: “Ju lutem mos e përdorni muzikën time në lidhje me këtë marrëzi barbare, çnjerëzore dhe të neveritshme.”
Pas reagimit të saj, videoja u publikua pa zë, ndërsa komenti i Grande u hoq nga postimi.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, mbrojti përdorimin e videos, duke deklaruar se kërcënimi i vërtetë vjen nga emigrantët e paligjshëm që, sipas saj, kanë kryer krime ndaj qytetarëve amerikanë.
Ariana Grande i bashkohet një liste në rritje artistësh që kanë kundërshtuar përdorimin e muzikës së tyre nga administrata e presidentit Donald Trump për qëllime politike dhe promovuese./A.K/
BURIMI:BBC
