Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se e ka emëruar ish-kryetaren e Komunës së Preshevës, njëherit kryetaren e degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, Ardita Sinanin, për këshilltare politike për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna dhe për mbrojtjen e avancimin e të drejtave të tyre, do të themelojmë Zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që do të koordinohet nga Sinani”, ka shkruar Kurti.
Në një status në Facebook, Sinani e ka konfirmuar këtë pozitë, dhe njëherit është shprehur falënderuese ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Në vazhdimësi të bashkëpunimit e bashkërendimit me Republikën e Kosovës, e në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve të Luginës, si dhe për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave tona, pranova këtë detyrë dhe angazhim”, është shprehur Sinani.
Megjithatë emërimi i Sinanit për këshilltare politike në Qeverinë e Kosovës u kundërshtua nga disa akterë politikë në Luginë të Preshevës. I pari që ka reaguar kundrejt këtij vendimi ka qenë kryetari i tanishëm i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili në emisioni Prime Time të Kanalit 10 ka thënë se këtë vendim të Qeverisë Kurti e cilësoi si “budallallëk”.
“Unë nuk e shoh si luftë sepse varet prej perceptimit. E shoh si një budallaki nga Qeveria Kurti, dhe edhe njëherë po e them drejt, Albini është viktimë e Liburn Aliut”, ka thënë ai.
Për këtë vendim ka reaguar edhe nënkryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enver Mehmeti, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të favorizojë asnjë parti politike në Luginë të Preshevës.
“Edhe para çdo emërimit apo vendimit për çështje të përgjithshme, nevojiten konsultime më të gjëra të subjekteve politike, shoqërisë civile të qytetarëve edhe të atyre të Luginës që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrë që përzgjedhja të jetë më e drejtë dhe meritore”, ka thënë Mehmeti./UBTNews/