UBT News

Arabia Saudite si sinjal i qartë strategjik nga ShBA-ja

United States and Saudi Arabia flag together realtions textile cloth fabric texture

Shkruan: Alfred Marleku

Takimi i nivelit të lartë mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite ka provokuar supozime mbi sinjalet strategjike që Uashingtoni dëshiron të përcjellë përmes përzgjedhjes së këtij lokacioni. Në vend që negociatat të mbaheshin në një kryeqytet evropian, siç ka qenë praktikë e zakonshme për çështje të lidhura me luftën në Ukrainë, ShBA-ja ka zgjedhur Riadin si arenën diplomatike për këto bisedime. Ky vendim reflekton një lëvizje të qëllimshme në strategjinë globale të Uashingtonit, e cila shkon përtej Ukrainës dhe përfshin balancimin e fuqisë në skenën ndërkombëtare.

Një nga arsyet kryesore për zgjedhjen e Arabisë Saudite është sinjalizimi i një zhvendosjeje të interesave strategjike të ShBA-së nga Evropa drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme. Lufta për dominim global nuk është më e kufizuar në konfliktin Rusi-Ukrainë, por përfshin garën për hegjemoni mes ShBA-së dhe Kinës. Uashingtoni e kupton se sfida kryesore dhe afatgjate nuk është Rusia, por Kina, një rival i aftë të sfidoj epërsinë amerikane në aspektin ekonomik, teknologjik dhe ushtarak. Për këtë arsye, ShBA-të po përpiqen të ripërcaktojnë prioritetet e tyre duke e zhvendosur fokusin në Indo-Paqësor dhe Lindjen e Mesme, ku ndikimi kinez është në rritje. Këtë e mbështet edhe deklarata e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili deklaroi se evropianët nuk mund të supozojnë se prania ushtarake e Amerikës në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.

Një tjetër mesazh i qartë i këtij takimi është dobësimi i rolit të Evropës në negociatat për të ardhmen e Ukrainës. Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, vendet evropiane janë rreshtuar pas Uashingtonit, duke mbështetur Kievin me ndihma ushtarake, humanitare e financiare. Megjithatë, zgjedhja e Arabisë Saudite për këto bisedime nënkupton se ShBA-ja nuk e sheh më Evropën si një aktor kryesor në formësimin e një marrëveshjeje të mundshme. Në vend që të lejoj Brukselin ose ndonjë tjetër kryeqytet evropian të ndikoj dialogun me Moskën, Uashingtoni e pozicionon veten si arbitri ekskluziv i çdo zgjidhjeje të mundshme. Kjo i jep Shteteve të Bashkuara fleksibilitet më të madh për të manovruar sipas interesave të veta, pa qenë i detyruar të marrë parasysh shqetësimet evropiane.

Për më tepër, shumë vende evropiane që për dekada të tëra kishin ruajtur statusin e neutralitetit ushtarak, si Finlanda dhe Suedia, të shtyra nga pushtimi rus i Ukrainës, e braktisën këtë status për t’u anëtarësuar në NATO. Ky ndryshim ka ndikuar në perceptimin e tyre si ndërmjetës të mundshëm në negociatat për të ardhmen e Ukrainës, duke e dobësuar rolin e tyre si vende të përshtatshme për të ndërmjetësuar në bisedimet diplomatike.

Ndërkohë, Arabia Saudite ka ambicie të qarta për t’u pozicionuar si lojtar kyç në diplomacinë globale. Ky takim i jep Riadit një platformë për të forcuar statusin e tij si ndërmjetës në konfliktet ndërkombëtare, duke konsoliduar pozitën e tij si një fuqi rajonale me ndikim global. Për ShBA-në, afrimi me Arabinë Saudite është një investim në një partner të fuqishëm që mund të ndihmoj në ekuilibrimin e pushtetit në Lindjen e Mesme.

Fakti që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar në këtë fazë të bisedimeve ka shkaktuar alarm në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane. Ukraina ka bërë të qartë se nuk do të pranoj asnjë marrëveshje që arrihet pa pjesëmarrjen e saj. Megjithatë, ky hap tregon qasjen realiste dhe pragmatiste të administratës amerikane. Uashingtoni po teston terrenin për mundësinë e një marrëveshjeje me Moskën për të ulur tensionet, pavarësisht qëndrimit të Kievit. Nëse kjo do të thotë një marrëveshje që e lë Ukrainën në një pozicion të pafavorshëm, kjo nuk do të jetë hera e parë që një fuqi e madhe sakrifikon interesat e një aleati më të vogël për të formësuar rendin ndërkombëtar sipas interesave të saj.

Zgjedhja e Arabisë Saudite si vend për negociatat mes ShBA-së dhe Rusisë për konfliktin në Ukrainë nuk është thjesht një çështje e përshtatshmërisë logjistike të palëve. Ajo përcjell mesazhe të qarta strategjike që përfshin zhvendosjen e vëmendjes gjeopolitike amerikane drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme, zbehjen e rolit të Evropës në bisedime dhe pozicionimin e ShBA-së si aktori kryesor në përpjekjet për një zgjidhje diplomatike. Për Ukrainën dhe Evropën ky zhvillim është një sinjal se duhet të marrin më shumë përgjegjësi për fatin dhe sigurinë e tyre në të ardhmen.

 

Autori është profesor i Teorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Gjeopolitikës në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT

Exit mobile version