Ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan tha se Arabia Saudite është e gatshme të njohë Izraelin nëse zgjidhet çështja palestineze.
Sipas tij, hapi i parë për zgjidhjen e çështjes palestineze është nëpërmjet një armëpushimi “nga të gjitha anët”.
“Ne pajtohemi që paqja rajonale nënkupton paqe për Izraelin, por kjo mund të ndodhë vetëm përmes paqes për palestinezët përmes një shteti palestinez”, tha bin Farhan.
Në vitin 2020, katër vende arabe, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Maroku dhe Sudani, njohën Izraelin sipas një sërë traktatesh të njohura si Marrëveshjet e Abrahamit, duke anashkaluar kërkesën e kahershme arabe për një shtet palestinez.
Që atëherë, administrata e Bidenit u angazhua që Arabia Saudite, e cila konsiderohet si lidere e botës myslimane, të ndjekë shembullin, një veprim që mund t’i hapte derën vendeve të tjera muslimane për të njohur Izraelin./UBTNews/